Rreth 94 emigrantë mbetën të braktisur në një kamion mallrash në një autostradë në Meksikë dhe iu desh të dilnin për t’i shpëtuar mbytjes aty brenda të enjten.

Sipas zyrtarëve meksikanë, emigrantët e huaj pa dokumente, duke përfshirë disa fëmijë, nga Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori iu dorëzuan autoriteteve të imigracionit. Rreth 100 të tjerë besohet të kenë ikur.

Emigrantët ishin nisur për në kufirin amerikan dhe u zbuluan të mërkurën mbrëma në një autostradë në shtetin lindor të Veracruz.

“Ata kanë treguar se janë braktisur nga shoferi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Emigrantët e braktisur duhej të hapnin vrimat në kontenierin e mallrave për të dalë jashtë, sipas Carlos Enrique Escalante, kreu i zyrës shtetërore të vëmendjes së emigrantëve.

Disa prej tyre pësuan lëndime kur u desh të hidheshin nga çatia e rimorkio, por jo serioze. Disa prej tyre u dërguan në spital për shkak të simptomave të asfiksisë.

Kontrabandistët e njerëzve në Meksikë shpesh përdorin kamionë të tejmbushur me emigrantë për t’i transportuar ilegalisht përtej kufirit.

Në qershor, më shumë se 50 emigrantë, përfshirë 22 nga Meksika, vdiqën pasi u braktisën në vapën e madhe në një gjysmërimorkio në San Antonio, Teksas.

Rreth 6,430 emigrantë kanë vdekur ose janë zhdukur gjatë rrugës për në SHBA që nga viti 2014, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), raporton DW.