Ministrja e Bujqësisës, Frida Krifca ka bërë me dije se çdo fermer që mbjell 1 hektar grurë, do të marrë mbështetje 30 mijë lekë të rinj.
“Bujqësia ka miratuar një vendim të rëndësishëm. Që ka të bëjë me rritjen e masës së skemës kombëtare të financimit. 1.2 milardë lekë i shtohen buxhetit të skemës kombëtare, duke e çuar buxhetin në 4.9 mld lekë, më i madhi i vënë në dispozicion. Ka qenë një vit pothuajse i vështirë në përballimin e kostove, fermerët tanë kanë rezistuar. Kemi patur një sezon të mbarë të prodhimit të grurit, hambarët janë mbushur lot.
Duke parë edhe fenomenet në botë, duke parë edhe ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit, për të rritur pavarësinë tonë ushqimore në aspektin e prodhimit të grurit kemi menduar që të fusim një masë të posaçme ku për fermerët që prodhojnë mbi 1 hektarë grurë, do të kenë mundësi që të marrin mbështetje 30 mijë lekë për hektarë. Grurin e mbështesim dhe me kostot e naftës. Dhe tek nafta kemi çuar një buxhet prej 500 milionë lekë të reja”, u shpreh Krifca.