Kur ecën nën pemë gjatë kësaj vere të thatë, në shumë vende krijohet përshtypja se jemi tashmë në vjeshtë: gjethe të thata mbulojnë tokën dhe kërcasin nën këmbë. Po të shikosh lart, sheh shpesh kurora pemësh të zverdhura ose madje krejtësisht të zhveshura.

Ky është një problem serioz. Sidomos në qytete, pemët e mëdha me shumë gjethe funksionojnë si kondicionerë natyrorë. Nëse ato vdesin, qytetet tona do të bëhen edhe më të nxehta.

Gjatë vapës dhe thatësirës, pemët mbyllin poret e gjetheve të tyre për të humbur sa më pak ujë. Zbehja dhe tharja e gjetheve është një mekanizëm mbrojtës. Por si pasojë zvogëlohet edhe fotosinteza, pemët marrin më pak lëndë ushqyese dhe gradualisht dobësohen.

Aktualisht, bimët në Gjermani pothuajse kudo po përballen me stres nga thatësira. Edhe shtresat më të thella të tokës janë tepër të thata në pjesën më të madhe të vendit.

Pemët e qytetit janë kondicionerë natyrorë

Në periudha të tilla, pemët urbane e kanë veçanërisht të vështirë. Në qytete vetëm një sasi e vogël e ujit depërton në tokë. Betoni dhe asfalti bëjnë që shumica e reshjeve të përfundojnë në kanalizime. Edhe uji që bie mbi çatitë e ndërtesave zakonisht largohet përmes ulluqeve drejt sistemit të kanalizimit.

Megjithatë, pemët janë jashtëzakonisht të rëndësishme për mbrojtjen nga nxehtësia, veçanërisht në epokën e ndryshimeve klimatike. Brenda kurorës së një peme temperatura mund të jetë deri në 3 gradë Celsius më e ulët se në mjedisin përreth, falë avullimit të ujit gjatë fotosintezës. Mbi të gjitha, pemët ofrojnë hije dhe pengojnë mbinxehjen e zonave përreth.

“Kur qëndrojmë nën një pemë, temperatura e perceptuar mund të jetë 10 deri në 12 gradë më e ulët sesa pranë saj”, thotë Dr. Matthias Beyer, ekohidrolog në Institutin e Gjeoekologjisë të Universitetit Teknik të Braunschweig-ut.

Sipas tij, pemët e mbjella rishtazi, më të reja se 11 vjeç dhe me diametër trungu më të vogël se 25 centimetra, kanë nevojë urgjente për ujitje shtesë për të mbijetuar. Pemët e rritura zakonisht kanë sisteme rrënjore të zhvilluara që arrijnë rezerva më të thella uji. Megjithatë, kjo nuk vlen gjithmonë për pemët e qytetit.

“Nëse toka është shumë e ngjeshur ose pema është mbjellë në një hapësirë shumë të vogël, ajo nuk mund të zhvillojë një sistem të mjaftueshëm rrënjor”, shpjegon Beyer.

Sa ujë u nevojitet pemëve?

“10 deri në 15 litra ujë në ditë është minimumi absolut për një pemë të re, nëse duam ta ndihmojmë realisht”, thotë Beyer.

Kjo nënkupton të paktën një ose dy kova ujë në ditë. Edhe më mirë është të ujitet dy ose tri herë në javë me sasi më të mëdha, në mënyrë që uji të depërtojë në shtresat e thella të tokës. Pemët e mëdha kanë nevojë për shumë më tepër ujë, rreth 200 deri në 400 litra në javë.

“Nëse i hidhni vetëm një kovë ujë një peme të madhe, praktikisht nuk i sjell shumë dobi. Për më tepër, rrënjët e saj janë shtrirë larg dhe pranë trungut gjenden gjithnjë e më pak rrënjë aktive”, shpjegon ai.

Megjithatë, shkencëtari pyjor Jürgen Bauhus nga Universiteti i Freiburgut thekson se duhet të përpiqemi të shpëtojmë edhe pemët e vjetra, veçanërisht ato që tregojnë shenja stresi, si humbja e gjetheve ende të gjelbra.

“Edhe nëse nuk mund të sigurojmë të gjithë sasinë e nevojshme të ujit, kjo mund të shërbejë si një ndihmë emergjente për t’i mbajtur gjallë.”

Si duhet të ujiten pemët?

Sipas ekspertëve, është më mirë të jepet shumë ujë brenda një kohe të shkurtër, në mënyrë që ai të depërtojë thellë në tokë, sesa pak ujë shpesh që mbetet në sipërfaqe dhe avullon shpejt.

Tek pemët e reja zakonisht vendoset një unazë metalike ose plastike rreth bazës së trungut. Nëse kjo mungon, mund të krijohet një gropë e cekët rreth pemës ku mblidhet uji. Duhet pasur kujdes që të mos dëmtohen rrënjët sipërfaqësore.

Kur toka është shumë e fortë dhe e tharë, ndihmojnë thasët ose jastëkët specialë për ujitje. Ato lëshojnë ngadalë ujë nëpërmjet vrimave të vogla, duke siguruar lagështi të vazhdueshme. Është e rëndësishme që uji të mos qëndrojë për një kohë të gjatë mbi sipërfaqe, sepse kjo mund të shkaktojë kalbëzime të dëmshme për pemën.

A duhet përdorur uji i pijshëm për pemët?

Përveç mungesës së reshjeve, në shumë rajone të Gjermanisë niveli i ujërave nëntokësore është jashtëzakonisht i ulët. Megjithëse furnizimi me ujë të pijshëm konsiderohet ende i sigurt, në disa zona tashmë ka kufizime. Për shembull, qyteti i Mynihutka ndaluar mbushjen e pishinave private dhe ujitjen e lëndinave. A duhet, në këto kushte, të përdoret uji i pijshëm për pemët?

Sipas Jürgen Bauhus, këtu përballen dy burime shumë të kufizuara: uji dhe pemët. Ai thekson se duhet marrë parasysh edhe vlera ekonomike e pemëve urbane: “Një pemë e rritur me kurorë të madhe ka afërsisht vlerën e një makine të klasës së mesme, pra rreth 40.000 deri në 60.000 euro.”

Çdo pemë e tharë përfaqëson një humbje të madhe, sepse pemët e vjetra nuk mund të zëvendësohen menjëherë. Duhen dekada të tëra për t’u rritur.

Pemët janë po aq të rëndësishme sa rrugët

Për të mbetur të jetueshme në të ardhmen, qytetet duhet të ndryshojnë mënyrën se si menaxhojnë ujin. Bauhus kërkon një ndryshim rrënjësor të mendësisë: pemët, parqet dhe sipërfaqet e gjelbra duhet të konsiderohen infrastrukturë thelbësore, po aq e rëndësishme sa rrugët ose rrjeti elektrik.

Ai propozon që ndërtesat e reja të kenë sisteme që lejojnë infiltrimin e sa më shumë ujit në tokë ose grumbullimin e tij në cisterna për përdorim gjatë periudhave të thata. Edhe Matthias Beyer kërkon një “aleancë për ujin”, ku politika, administrata dhe qytetarët të bashkëpunojnë.

Një ide e tij është që uji i shiut nga ulluqet të drejtohet përmes zinxhirëve metalikë drejt pemëve pranë ndërtesave. Ekspertët theksojnë gjithashtu se pemëve duhet t’u krijohen kushte më të mira për të zhvilluar rrënjë më të thella. Kjo kërkon më pak sipërfaqe të asfaltuara dhe më shumë tokë të hapur rreth tyre, në mënyrë që uji të depërtojë në nëntokë.

“Kur rritet sasia e ujit që depërton në tokë, nuk përfitojnë vetëm pemët. Kjo ndihmon edhe në stabilizimin e niveleve të ujërave nëntokësore,” thotë Beyer./DW