Futbollisti i Teutës, Dejvi Bregu analizoi ecurinë e skuadrës së tij këtë sezon, teksa u shpreh:“Teuta ishte i vetmi ekip që e ruajti grupin. Edhe ne presim shumë nga vetja jonë. Është normale që të gjithë të na shohin si pretendetë. Presioni është i madh tek ekipet që e kanë shpallur objektivin për kampion. Në këtë kampionat nuk ka ndeshje të lehta. Shpresojmë që me këtë fitore që bëmë të jemi në rrugën e duhur.
Rivale të Teutës? Rival direkt mund të quaj, Tiranën, Kukësin, Laçin dhe Vllazninë. Ky kampionat është shumë i rivalizuar. Ekipet nuk kanë shumë diferenca. Çdo ekip mund të marrë pikë. Duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe ta përfundojmë siç duhet vitin. Ky kampionat kështu nisi, është shumë e vështirë të luash çdo 3 ditë.
Presioni i titullit kampion është i përballueshëm nga grupi jonë. Do ta menaxhojmë në vazhdimësi të kampionatit. I kemi bërë bilancet dhe analizat pas ndeshjes. Të gjitha ndeshjet i kemi dominuar. Ngërçi psikologjik ekziston në skuadër. Barazimet radhazi të fut në mëdyshjen që vërtet ky ekip ka ngërç apo është çudi. Krasniqi është një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit, s’duhet ta çajë kokën dhe të vazhdojë përpara.
Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që të transferohesha te Teuta. Kam biseduar me Tiranën dhe me klube të tjera, besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Shpresoj shumë që fitorja me Apoloninë të jetë pika e kthesës. Shpresoj që kjo fitore ta thyej akullin që kemi pasur. Tirana është një nga pretendetet kryesore për ta fituar titullin, ka një ekip shumë të mirë.
Për mua Skënderbeu është një ekip i madh pavarësisht çdo gjëje që po kalon dhe ka kaluar. E vuaj pak atë duel, sepse kam kaluar shumë mirë, por dua të fitoj. Ne do ta vlerësojmë maksimalisht atë ndeshje. Çdo ndeshje vlen 3 pikë, nuk ka ndeshje të lehta. Shpresoj të bëj një ndeshje të mirë dhe të dalim me 3 pikë”, u shpreh Bregu.





