Një deklaratë e fortë vjen dhe nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova lidhur me tensionet e krijuara në Veri të Kosovës.
Zakharova i kërkoi Prishtinës “të ndalojë provokimet dhe të mbrojë të drejtat e serbëve që jetojnë në rajonin verior”.
Sipas mediave ruse, ajo u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, të cilët po mbështesin Kosovën, të praktikojnë vetpërmbajtje dhe “të respektojnë të drejtat e serbëve etnikë që jetojnë në Kosovë, por nuk e konsiderojnë autoritetin e Prishtinës për të vendosur ‘rregulla’”.
Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, vendimi i Kosovës “për të filluar përdorimin e ‘rregullave’ të pabazuara diskriminuese për ndryshimin e detyrueshëm të dokumenteve të identifikimit dhe targave të serbëve vendas nga 1 gushti është një hap tjetër për të dëbuar popullsinë serbe nga Kosova, për të nxjerrë jashtë loje institucionet e serbëve të Kosovës, të cilat mbrojnë të drejtat e serbëve etnikë nga arbitrariteti i radikalëve të Prishtinës të udhëhequr nga ‘kryeministri’ Albin Kurti”, citon agjencia ruse e lajmeve TASS të ketë thënë Zakharova.
“Udhëheqësit kosovarë e dinë se serbët nuk do të qëndrojnë indiferentë kur bëhet fjalë për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së tyre dhe qëllimisht po kërkojnë të përkeqësojnë situatën për të shkaktuar një skenar të detyruar. Natyrisht, Beogradi është në ballë të sulmit, pasi perëndimi po kërkon ta ‘neutralizojë’ me anë të shqiptarëve të Kosovës”, shtoi ajo.
Zakharova theksoi se një zhvillim i tillë është një tjetër dëshmi se misioni ndërmjetësues i BE-së ishte i pasuksesshëm.
“Është gjithashtu një shembull se çfarë mendon Bashkimi Evropian për rolin e Beogradit, i cili, në fakt, supozohet të durojë privimin e të drejtave të bashkatdhetarëve të tij”, ka deklaruar ajo.





