Forcat e armatosura izraelite kanë sulmuar gjatë natës objektiva të tjerë në Rripin e Gazës. Militantët palestinezë kanë qëlluar sërish me raketa në drejtim të Izraelit. Ekziston frika e një shkallëzimi të mëtejshëm.

Ushtria izraelite ka goditur disa objektiva në Rripin e Gazës natën e së dielës. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ben Gantz ka urdhëruar forcat e armatosura të vazhdojnë goditjet operative, bëhet e ditur nga kjo ministri. Objektiv i sulmeve është organizata e Xhihadit Islamik, PIJ, forca e dytë më e madhe ushtarake pas Hamasit. Nga Egjipti, që përpiqet të ndërmjetësojë nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Militantët palestinezë kanë reaguar me goditje masive me raketa. Sipas të dhënave palestineze nga Ministria e Shëndetësisë që nga fillimi i sulmeve ajrore izraelite të premten kanë humbur jetën 29 vetë, shkruan afp, të paktën 215 vetë janë plagosur. Mes viktimave, sipas të dhënave palestineze, ndodhen krahas anëtarëve të Xhihadit islamik edhe 6 fëmijë dhe 2 gra. Izraeli i hodhi poshtë raportimet palestineze, se ushtria izraelite është përgjegjëse për vdekjen e 5 fëmijëve dhe një të rrituri në kampin e refugjatëve, Xhabalia. “Bazuar në të dhënat ushtarake, duket se kjo ngjarje është pasojë e devijimit të një rakete të Xhihadit islamik”, thuhet nga pala izraelite.