Më në fund pas shumë barazimeve, Teuta është rikthyer te fitorja. Durrsakët kanë mposhtur në transfertë minimalisht Apoloninë me rezultatin 0-1. Golin vendimtar për të besuarit e trajnerit Edi Martini e realizoi Lorenco Vila. Një realizim që në pjesën e parë dhe që mbeti në fuqi për të gjithë pjesën e mbetur të ndeshjes. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini shpërdoroi mjaft rast shënimi, ku më flagranti i ishte ai i Blerim Krasniqit me portën e boshatisur.
Falë këtij trepikëshi, Teuta ngjitet në kuotën e 13 pikëve po aq sa edhe Tirana.Ndërkohë, fierakët mbeten të fundit në Superiore duke grumbulluar vetëm pesë pikë në fund të fazës së parë. Ndeshja e radhës, Apoloninë e sheh të impenjuar ndaj Vllaznisë, ndërsa Teuta do të masë forcat me Skënderbeun.
Pavarësisht shanseve të shpërdoruara, ajo që vlen tani për Teutën janë pikët, teksa “djemtë e detit” e shohin veten 6 pikë larg Vllaznisë kryesuese. Nga ana tjetër, Apolonia hedh një tjetër hap fals për sa i përket qëndrimit në Kategorinë Superiore. Fierakët presin të mësojnë emrin e teknikut të ri pas shkarkimit të Nikolin Çoçllit.





