Më shumë se 4,000 shqiptarë kanë arritur në Britani përmes Kanalit deri më tani këtë vit, bën të ditur Daily Mail.

Ndërkohë autoritetet britanike kanë frikë se deri në fund të vitit do te kalohet shifra e nje viti me pare.

Përshkallëzimi i paprecedentë i të ardhurve shqiptarë është për shkak të taktikave të reja nga bandat e trafikimit të njerëzve në Ballkan dhe dobësive në ligjet e ‘skllavërisë moderne’ të Britanisë, thanë burimet.

Sapo mbërrijnë në Britaninë e Madhe, shqiptarët pohojnë se janë trafikuar ose shfrytëzuar, duke e bërë më të vështirë largimin e tyre.

Një burim i afërt me Sekretaren e Brendshme Priti Patel tha: ‘Këtë vit kemi pasur 4000 njerëz nga Shqipëria që kanë ardhur tashmë.

“Po e shohim këtë rritje nga Shqipëria sepse paguajnë më shumë dhe u garantohet kalimi nga kontrabandistët ashtu siç nuk e kanë të tjerët”.

Dje doli se 20,000 migrantë kanë arritur në tokën britanike këtë vit, një moment historik që nuk u arrit vitin e kaluar deri në fillim të nëntorit. Kjo do të thotë se shqiptarët kanë përbërë një në pesë nga ata që kalojnë Kanalin që nga fillimi i janarit, raporton tabloidi britanik.

Në një periudhë gjashtëjavore në qershor dhe korrik, 1,075 shqiptarë mbërritën me varka të vogla.

Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurve shqiptarë përfundojnë duke kryer krime, shtoi burimi. Një marrëveshje me Shqipërinë, e nënshkruar nga Patel në korrik 2021, ka çuar në një rritje të numrit të kriminelëve të dërguar në shtëpi, shkruan Daily Mail.