Janë zbardhur detaje të reja për 3 shtetasit e huaj që u përfshinë në incidentin e të shtunës në mbrëmje në Uzinën e Armëve në Gramsh, ndaj të cilave akuza e Elbasanit mes të tjerave ka ngritur edhe akuzën për spiunazh.

Gjatë fazës hetimore nga kjo e fundit, në telefonat e tyre janë gjetur fotografi dhe materiale të tjera të bazave të tjera ushtarake në Shqipëri përveç asaj të Gramshit.

Këto materiale i përkasin periudhës së Gushtit të këtij viti, teksa për Prokurorinë përforcojnë dyshimet se këta 3 shtetas të jenë pjesë e një rrjeti spiunazhi që dëmtojnë interesat e vendit tonë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se janë zbërthyer aparatet celulare të 3 shtetasve të huaj ku kanë gjetur shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme por kryesisht “Telegramit”.

Sa i takon 4 shtetasve çekë, të kapur në rrethana të ngjashme në Poliçan, të njëjtat burime shprehen se në këtë fazë hetimi nuk është konstatuar asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Akuza e Elbasanit qëndron në krye të hetimeve ndërsa çështja do të vijojë të hetohet në Prokurorinë e Elbasanit dhe jo në Strukturën e Posaçme. Sa i përket kontakteve që kanë kryer këta shtetas me persona të tjerë, po bëhen verifikime për identifikimin e tyre dhe aktivitetit me të cilin merren.