Arrestimi i tre shtetasve të huaj, dy rusë dhe një ukrainas të dyshuar si spiunë të FSB-së, në Uzinën e Përpunimit të Armëve në qytetin e Gramshit ka alarmuar institucionet e sigurisë në Shqipëri.
Profesori i njohur për sigurinë dhe kriminalistikën Ervin Karamuço në një shkrim të botuar në Abcnews.al, paralajmëronte se përveç hetimeve institucionet shqiptare kanë rritur edhe masat për mbrojtjen e 3 shtetasve të huaj të dyshuar si agjentë në veçanti të 32-vjeçares Svetlana Timofoeva (Lana), e cila konsiderohet si aseti i spiunazhit rus.
Sipas tij arrestimi i këtyre shtetasve në Shqipëri ka vënë në lëvizje jo vetëm diplomacinë ku vetëm gjatë orëve të fundit janë shkëmbyer mbi dhjetëra e-maile, por edhe njësinë ushtarake 29155 GRU, e cila mund edhe të eliminojë fizikisht ndonjë nga personat e kapur pranë Uzinës së Armëve në Gramsh, në rast se nuk do të arrihet lirimi i tyre.
Njësia famëkeqe 21955 GRU, e cila ka vite që shërben pranë agjencisë së spiunazhit rus që në kohën e KGB-së, ka marrë pjesë në shumë aksione vitet e fundit, duke përfshirë edhe vrasjen e disa ish-agjentëve rusë në Britani.
Dyshohet edhe që kjo njësi mund të fshihet pas vdekjes misterioze të 4 turistëve rusë në Qerrret, ngjarje e cila ende mbetet e pazbardhur.
Çfarë është njësia Speciale 29155 GRU dhe si operon
Siç e thamë edhe më lart kjo strukturë ka ekzi9stuar që në kohën kur funksiononte KGB, por pas shkrirjes së KGB-së, u duk sikur edhe kjo strukturë ishte zhdukur, por pas vitit 2008-të rifilloi organizimi i saj.
E njohur kryesisht për disa atentate dhe incidente të rrezikshme, ai më i famshmi është aksioni për vrasjen e agjentit rus Serbej Skripal në vitin2018-n në Salisbury të Britanisë së Madhe, së bashku me të bijën e tij Yulia. Skripal u helmua me kontakt prekjeje nga një preparat i rrezikshëm që bën pjesë në armët kimike të shkatërrimit në masë.
Njësia speciale 29115 , konsiderohet se është ngritur në fshehtësi që nga viti 2008, megjithëse ekzistenca e saj u bë e njohur publikisht vetëm në vitin 2019.
Njësia komandohet nga gjeneralmajor Andrei Vladimirovich Averyanov dhe përbëhet nga veteran prej luftërave ruse në Afganistan, Çeçeni dhe Ukrainë.
Rupi që mori pjesë në atentatin ndaj Skripal, u kamuflua si instruktorë të fitness-it, të cilët do të jepnin mësime speciale në Britaninë e Madhe.
Njësia 29155 thuhet se ka marrë pjesë në akte sabotazhi dhe destabilizuese në Çeki, Lituani, tentativën për grusht shteti në vitin 2016 në Mal të Zi etj.
Studiuesit perëndimorë të veprimeve të njësisë 29155, thonë se ata lënë shumë prova dhe janë të zhurmshëm në veprimet e tyre.
Disa aksione u desh të ndërpriteshin pa sukses, si p.sh. tentativa për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016, e cila u organizua përpara se vendi të anëtarësohej në NATO. Në disa raste janë lënë pas mjaft prova për të mundësuar identifikimin e autorëve. Ekspertët e sigurisë kanë ngritur tezën se kjo metodë ishte zgjedhur qëllimisht për të sinjalizuar të gjithë kundërshtarët e regjimit rus se ata nuk ishin askund të sigurt.
Eerik-Niiles Kross, një ish-shefi i inteligjencës në Estoni, thotë se ky lloj operacioni i inteligjencës është bërë pjesë e luftës psikologjike.
Njësia 29155 akuzohet për tentativën për vrasjen e tregtarit bullgar të armëve Emilian Gebrev në prill 2015 apo edhe shpërthimit dy herë të depove të municioneve në një fshat të Çekisë, municione të cilat ishin destinuar për ushtrinë e Ukrainës.
Andrej Babish, kryeministri i Republikës Çeke, akuzoi në mënyrë direkte më 17 prill 2021 se Njësia 29155 qëndronte pas shpërthimeve të vitit 2014 në magazinat e municioneve Vrbetice. Policia çeke akuzon dy të dyshuar: Alexander Mishkin (aka Alexander Petrov) dhe Anatoliy Chepiga (aka Ruslan Boshirov), të njëjtit persona që kanë marrë pjesë në atentatin ndaj Sergej Skripal.
Sa e rrezikuar është Shqipëria nga njësia 21955 GRU?
Duke parë aksionet e shumta të kryera në Europë, por edhe ajo që tronditi Ballkanin siç ishte tentativa për grusht shteti ndaj Milo Gjukanoviçit në 2016-n në Malin e Zi, ngre dyshime të forta se kjo njësi në rast se do të urdhërohet mund të operojë edhe në vendin tonë.
Kujtojmë që në vitin 2016-të kjo njësi e cila i bëri puç Gjukanoviçit armët i gjeti në Shqipëri, të cilat më pas i trafikoi në Podgoricë.
Gjithashtu sipas asaj që shkruan profesor Karamuço frika se kjo njësi mund të hyjë në vendin tonë është e madhe, këtë e tregon edhe vizita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, i cili ka urdhëruar rritjen e masave të sigurisë për jetën e 3 “spiunëve” të arrestuar në zonën e Gramshit.
Ndërkohë duhet theksuar se njësia 29155 GRU është e specializuar edhe në sulmet kibernetike.
Por a fshihet njësia 29155 GRU pas sulmeve kibernetike në institucionet shqiptare një muaj më parë? Kjo ngjarje është ende nën hetim, por Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se ajo që ndodhi në Gramsh mund të jetë mbulesë për një ngjarje edhe më të mëdha.
Për të parë se a janë spiunë rusët e arrestuar dhe a ka lidhje njësia famëkeqe 29155 me incidentin në Gramsh apo sulmet kibernetike, kjo ende mbetet një hipotezë e cila pritet të zbardhet ditët në vijim, pas hetimeve që po kryen antiterrori në Shqipëri në bashkëpunim me institucionet aleate.