Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim administratorin e pishinës së një lokali në Linzë, ku rrezikoi të mbytej një vajzë 25-vjeçare.

Ajo ishte e shoqëruar nga një 32-vjeçar në pishinë, ndërsa pas ndihmës së parë është dërguar në spital në gjende të rëndë.

“Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, sipas të cilit është marrë njoftim se në ambientet e pishinës së një lokali në Linzë, ishte mbytur një vajzë (shtetasja E. T.), e cila pas ndërhyrjes së Policisë, u kontatua në gjendje të rëndë dhe u transportua në spital, ju bëjmë me dije se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, si dhe shpallën në kërkim shtetasin Y. H., 52 vjeç, administratori i pishinës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi në kundërshtim me rregullat e përcaktuara për sigurinë në këto ambiente, nuk ka caktuar një person përgjegjës për të asistuar në raste të tilla. Vijon puna për kapjen e 52-vjeçarit. Gjithashtu, u referuan materialet, si dhe nisën hetimet për shtetasin O. M., 32 vjeç, pasi edhe pse ka qenë i shoqëruar me shtetasen E. T., nuk ka ndërhyrë për ta ndihmuar atë.” – njofton policia.