Drejtori i Agjencisë së Ushqimit në Shkodër Gjekë Sokoli i shpallur në kërkim për shpërdorim detyre, është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës raporton Klan News.
Dyshohet se Sokoli kishte lejuar një biznes pularie në Bërdicë të Sipërme, të vijonte punën e palicencuar duke prodhuar dhe shitur vezë me emërtime të markave të tjera dhe të pakontrolluara.
Në lidhje me ngjarjen u vu në pranga nga policia e Shkodrës 55-vjeçari Viktor Gjini i cili ushtronte aktivitet tregtar, pulari, të paregjistruar në organet tatimore. Ndërsa në kërkim u shpall Inspektori i Mjedisit po në Shkodër.
Gjekë Sokoli dhe Inspektori i Mjedisit akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit, si dhe e kanë favorizuar atë duke mos ushtruar kontrolle në pulari. Po ashtu, policia procedoi në gjendje të lirë edhe dy persona të tjerë të cilët ushtronin aktivitete përkatëse në fushën e hotelerisë në Shkodër, të paregjistruar në organet tatimore.