Në një kohë kur mjetet rrugore, drejtuesit e tyre dhe përdoruesit e rrugës rriten, të dhënat e autoriteteve shqiptare, tregojnë se aksidentet dhe pasojat e shkaktuara janë në ulje. Në një analizë të kryer nga Drejtoria e Transportit Rrugor, evidentohet se në shtatë muajt e parë të vitit ka patur 23 jetë të humbura më pak se vitin e shkuar, në të njëjtën periudhë, ose e thënë ndryshe rreth 20% më pak viktima.
Pozitiv është dhe fakti se në rrugët e vendit janë regjistruar më pak ngjarje rrugore. Referuar të dhënave nga Janari në Korrik, janë shkaktuar 686 aksidente, 99 më pak se në 7-mujori i vitin e shkuar. Në këto aksidente janë përfshirë 971 qytetarë, apo 79 më pak se në shtatë muajt e vitit 2021.
Sipas Drejtorisë së Transporteve, në muajin e shkuar është regjistruar dhe një rekord historik, pasi është muaji me më pak viktima në aksidentet rrugore në historinë e automotorizmit, me 6 jetë të humbura.
Të dhënat e Drejtorisë së Transporteve shënjestrojnë problematikën e trafikut në zonat urbane, ku kemi 55% të aksidenteve rrugore në Shqipëri, 15% më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së.
Ndërkohë aksidentet e tjera janë 31% në zonat rurale dhe pjesa tjetër në autostradë apo dhe rrugë lokale. 45% e qytetarëve të përfshirë në aksidente në zonat urbane janë këmbësorë.