Nesër rihapet aplikimi për qytetarët që deri më tani nuk kanë mundur të përfitojnë grantin e dëmshpërblimit për dëmtimin e banesave të tyre në shkallën DS1, DS2 dhe DS3.

“DurrësLajm” mëson se aplikimi do të qëndrojë i hapur vetëm për një ditë. Të gjithë të interesuarit do të nisin aplikimin mëngjesin e së premtes pranë Prefekturës Durrës.

Kjo është hera e tretë që hapet aplikimi për përfitimin e grantit të dëmshpërblimit. Në fillim qytetarët patën mundësi të aplikonin përgjatë muajit shkurt, e më pas përgjatë një jave në muajin korrik.

Gjatë këtyre muajve kanë qenë të shumtë qytetarët që janë ankuar se për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë pasur mundësi të bënin aplikimin dhe për këtë shkak i kanë bërë apel qeverisë dhe bashkisë që ta hapte sërish procesin.

Megjithëse disa nga qytetarët që gjatë gjithë këtyre muajve kanë depozituar ankesat e tyre pranë bashkisë janë njoftuar për hapjen e aplikimeve gjatë ditës së nesërme, çuditërisht mungon njoftimi zyrtar.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, kanë qenë të hapura aplikimet për qytetarët e Shijakut që s’kanë mundur të bëhen pjesë e procesit deri më tani.

Deri më tani, në Durrës janë miratuar nga Këshilli Bashkiak emrat e 10700 familjeve përfituese të grantit, nga të cilat rreth 9800 e kanë tërhequr atë.