Sulejman Starova është drejtori i ri teknik i Teutës. Ai është prezantuar para ekipit nga shefi i klubit durrsak, Enid Furxhi, në ambientet e “Olympic Park” , për të nisur më pas nga puna.

Starova është një emër i njohur në kampin durrsak, teksa më parë ka mbajtur postin e trajnerit. Pas emërimit të drejtorit sportiv të ri, Teuta nisi përgatitjet për duelin ndaj Apolonisë.

“Djemtë e detit” do të synojnë tri pikët në këtë ndeshje, pas shtatë barazimeve radhazi. Rikthimi i Starovës në Durrës tregon edhe një herë objektivin madhor që ka këtë sezon Teuta për fitimin e titullit kampion.

“KF Teuta me kënaqësi njofton se Sulejman Starova emërohet në pozitën e drejtorit teknik. 65 vjeçar nga Tirana ka marrë detyrën e re me Teutën dhe menjëherë pas zyrtarizimit ka filluar nga puna. Starova është një emër i njohur ne kampin blu, teksa ka qenë gjithashtu në periudha të ndryshme në drejtimin e bluve si trajner”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e klubit durrsak.

Sulejman Starova është një emër mjaft i njohur i futbollit shqiptar, që në karrierën e tij ka drejtuar skuadra të ndryshme si Tirana, Partizani, Laçi, etj., por edhe më herët regjistron eksperienca si Drejtor teknik.