Grupi hetimor, që po kryen verifikime mbi qëllimin e dy rusëve dhe ukrainasit të arrestuar në vendin tonë, vijon t’i qëndrojë idesë se kishin ardhur për spiunazh. Provat e reja të marra në dispozicion e mbështesin këtë pistë të policisë dhe prokurorisë.
Sipas burimeve, në celularin e njërit prej të arrestuarve është gjetur një skicë, që në përmbajtje ka planimetrinë e uzinës ushtarake të Gramshit, madje edhe të vendndodhjes së rojeve të turnit. Skica e zbuluar nga hetuesit tregon se ish-uzina e Gramshit, ishte vëzhguar për një kohë të gjatë nga tre të arrestuarit si spiunë dhe nuk ishin thjesht turistë të pasionuar pas fotove. Hetuesit kanë dyshime të forta për faktin se asnjë bloger që merret me fotografimin e godinave të vjetra ushtarake, nuk mbajnë shënime me skica aq më tepër të reparteve që ruhen nga forcat e armatosura.
Ndërkohë sipas burimeve mësohet se në automjetin me të cilin udhëtonin janë gjetur tre pllaka flori, afro 60 gramë secila, ndaj për hetuesit këto vlera materiale ngrenë dyshime pasi nuk përdoren zakonisht nga blogerë, siç pretendohet nga të arrestuarit.
Në lidhje me lajmet se Moska ka lëshuar një fletë-arresti për rusen e kapur në Gramsh, Svetlana Timofeva, ku sipas mediave të huaja kishte marrë sekrete shtetërore, të njëjtat burime nga Prokuroria shprehen se nuk kanë marrë asnjë letër-porosi nga shteti rus.
Shtetasi ukrainas Fedir Alpatov mësohet se ka ankimuar vendimin dhe kërkon nga gjykata të lihet në masë detyrim paraqitje. Kjo kërkesë është bërë me pretendimin se nuk përbën rrezik për hetimet dhe duhet të vijojë vitin shkollor.