Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar ditën e sotme se kundërshtarët e Ervis Martinajt ka të ngjarë të jenë bërë bashkë për të eliminuar të shumëkërkuarin.

Ai e krahasoi këtë mekanizëm të krijuar nga 6-7 grupe të fuqishme në Shqipëri kundërshtarë të Ervis Martinajt, me klanin Los Pepes për eliminimin e Pablo Escobar. Hoxha theksoi se grupe rivale kanë pranuar të bëhen bashkë, vetëm për të arritur në finalizimin e qëllimit të tyre.

“Dërgon një skuadër me armatim dhe makina që ne do ti shohim gjatë këtyre ditëve. U gjet një e djegur. Janë ndërruar disa makina atë ditë. Është një skuadër e frikshme. Kur del është shumë e shtrenjtë. Cfarë ka ndodhur? Këtë situatë e kam parë vetëm me Escobarin. U krijua një njësi Los Pepes dhe kjo njësi u krijua në momentin që qeveria, policia kolumbiane, kur kartelet, nuk po e thyenin dot. Krijuan këtë njësinë. Kjo u krijua nga atë afërmit e policëve të vrarë, e ortakëve që kishte ekzekutuar. Dhe u furnizua me informacion nga DEA. Kjo njësi filloi të ekzekutonte një nga një ushtarët financuesit, organizatorët. Ai bënte të njëjtën gjë që bënte Martinaj, dilte në mes të qytetit me taksi. Nuk ka pasur kurrë një hetim për krimet që bëri kjo njësi.

Një organizim i ngjashëm u bë në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit. 6-7 grupe të mëdha u bashkuan, pranuan edhe konflikt vetëm për të nxjerrë jashtë loje Ervis Martinajn. Ata përdorën të gjitha lidhjet. Pjesë e kësaj strukture u bënë ish pjesëtarë edhe të forcave të zbatimit të ligjit. Ai goditej vazhdimisht dhe nuk reagonte dot. Në mos se agjencitë e zbatimit të ligjit janë palë, po mbyllin sytë? Pse u bë gjithë kjo? Nuk mund ta thyenin dot ndryshe. Kjo njësi duke përfituar edhe nga goditjet, edhe presioni i shtetit. Martinaj ishte në kërkim për dëshminë e Dumanit. Ishte i dënuar nga shkalla e parë për ngjarjen në Bllok”, u shpreh Hoxha.

Ai tregoi në ABC itinerarin që ka ndjekur Martinaj para zhdukjes dhe zbuloi edhe dy mesazhet e fundit që ka dërguar, prej të cilëve njëri lidhet me këlyshin e tigrit që mbante në shtëpi dhe tjetri me familjarët.

“Thonë që ai fshihej në një kullë, në fakt ai hidhte valle nëpër Tiranë sepse kishte informacion dhe përfitonte se askush nuk e njihte. Madje, edhe policët nuk raportonin. Martinaj ka dërguar dy SMS më datë 9 gusht, ku SMS i parë lidhet me ushqimin e këlyshit të tigrit që ai ka në shtëpi. Pastaj u dërgua edhe një SMS tjetër ku pyeste për familjarët. Pastaj nuk ka më gjurmë të tij”, tha Hoxha.