Prokuroria e Stambollit ka në hetim 21 të pandehur në lidhje me skemën gjigande të mashtrimit përmes kriptovalutave, Thodex.

Emri kryesor në hetim është CEO i kësaj platforme, Faruk Fatih Ozer, i cili akuzohet se ka mashtruar rreth 400 mijë njerëz.

Nga personat e akuzuar, gjashtë prej tyre janë të burgosur aktualisht në Turqi, mes të cilëve edhe vëllai dhe motra e Faruk Ozer.

Sipas mediave turke, ndaj të pandehurve janë ngritur akuzat në Turqi për “krijimi dhe drejtimi i një organizate kriminale”, “mashtrimi duke përdorur sistemet e informacionit, bankat ose institucionet e kreditit” dhe “mashtrimit dhe pastrimit të vlerave pasurore që rrjedhin nga krimi”.

Për këto akuza, prokuroria ka kërkuar dënimin me burg në total të të pandehurve nga 12.164 vite burg deri në 40.562 vite burg.

Ministria e Brendshme turke, njoftoi se themeluesi i arratisur i platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq, është kapur në Shqipëri, shkruan Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e bërë nga ministria turke, thuhet se ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi, në orët e mëngjesit e ka njoftuar homologun e tij turk, Süleyman Soylu, se Özer është kapur në qarkun e Vlorës dhe se identiteti i tij është konfirmuar nga rezultatet biometrike.

“Kanë nisur procedurat e ekstradimit të Faruk Fatih Özer në Türkiye nga Departamenti i Interpolit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë”, thuhet në njoftim.