Mediat turke i kanë kushtuar një artikull deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Forumin e 17-të Strategjik të Bled-it të zhvilluar në Slloveni.
Sipas medias turke, kryeministri i Shqipërisë kritikoi BE-në në lidhje me periudhën e pandemisë, ndërsa shprehu mirënjohje ndaj Turqisë si një nga shtetet që kishte ndihmuar në dhënien e vaksinave.
Teksa kritikoi qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj menaxhimit të situatës së koronavirusit, Rama tha: “Na harruan fare”. Rama u shpreh se Bashkimi Evropian bëri gabime të turpshme në lidhje me vaksinën në atë kohë. “Shumë njerëz do të kishin humbur jetën po të mos ishte Erdogani”, tha ndër të tjera Rama, ndërsa vlerësoi presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan për ndihmën e dhënë.
“Në çdo fjalim thonë se Ballkani duhet të jetë me ne dhe të mos ndikohet nga të tretët. Por çfarë ndodhi, Serbia e mori vaksinën nga Kina. Ne e morëm nga Turqia. Pa Presidentin Erdogan, shumë njerëz do ta kishin humbur jetën në vendin tonë. Shpresoj që Evropa të ketë nxjerrë mësimin e saj. Shpresojmë që Bashkimi Europian të mos e përsërisë gabimin e turpshëm që thjesht i shpërndajnë vaksinat njëri-tjetrit dhe na harrojnë plotësisht”, tha Rama.