Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se vajza 11-vjeçare që dyshohet se u dhunua nga pesë persona në muajin gusht në Prishtinë, ishte raportuar si e zhdukur edhe në qershor të këtij viti.
Prokuroria e Kosovës, doli sot me një informacion se “në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur dhe për këtë është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie”.
Sipas njoftimit zyrtar, prokurori “ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe e vajza është intervistuar në prezencë të punonjëses sociale dhe mbrojtësve të viktimave, si dhe, më pas është dërguar në strehimore”.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje nëse për rastin e zhdukjes së vajzës në qershor ishte arrestuar ndonjë person.
Njoftimi i plotë i prokurorisë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik lidhur me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, ashtu siç ju kemi mbajtur të informuar, si rezultat i zhvillimit të hetimeve nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me institucionet e tjera, se janë dërguar në paraburgim pesë (5) personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast, prej tyre dy janë në moshë madhore dhe tre të tjerë të mitur, të dyshuar për veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së dhe për të njëjtët persona, Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit në gjykatë, e gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë.
Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me institucionet e tjera ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ofrimin e të gjitha shërbimeve për të dëmtuarën, kurse hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.
Po ashtu, ju njoftojmë se në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur, e është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.
Në mënyrë urgjente, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë. Prokurori kujdestar ka dhënë urdhër për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave, e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj rastit janë duke vazhduar hetimet.
Të dy çështjet penale ndodhen në procese hetimore të ndara dhe i takojnë Procedurës për të Mitur, andaj, kufizimi i dhënies së informacioneve do të bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe do të shmanget çdo publicitet i tepruar dhe informacione që shpien në identifikimin e të miturve, pasi shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.
Në fund, ju njoftojmë se të gjitha procedurat ku janë të përfshirë të miturit janë procedura konfidenciale dhe fshehtësia e informacionit lidhur me fëmijën viktimë apo dëshmitarë mbrohet me ligj, e po ashtu, secili informacion që priret të bëjë identifikimin e fëmijës si dëshmitar apo viktimë.





