Trupi i pajetë i biznesmenit 43-vjeçarit Fatmir Ara, u gjet në një rrugë fshati në San Carlo Canavese.
Biznesmeni shqiptar, i cili jetonte në Mathi të Torinos i kishte humbur kontaktet me familjen e tij që prej të premtes së kaluar. Edhe pse ishte në arrest shtëpie, Ara ishte i lejuar të shkonte në punë. Ka qenë gruaja e të ndjerit ajo që ka lajmëruar policinë italiane për zhdukjen e Fatmir Arës, pasi ky i fundit nuk ishte kthyer në shtëpi. Karabinierët pas kontrolleve të bëra, e gjetën trupin e pajetë të 43-vjeçarit pasditen e djeshme në zonën Canavese ku dhe banonte.
Ara ishte pronar i kompanisë , Nuova Edile me qendër në Mathi të Torinos. Në trupin e gjetur në fushat e San Carlo Canavese, kishte shenjat e të paktën tre të shtënave me armë zjarri, të cilat i shkaktuan dhe vdekjen. Policia italiane thotë se përpara se të qëllohej me armë, Fatmir Ara mund të jetë rrahur. Gjithsesi për një përgjigje më të saktë të asaj se çfarë ka ndodhur do ta vërtetojë autopsia thonë autoritetet italiane.Trupi u gjet në tokë pranë makinës dhe jo më shumë se dhjetë minuta larg me makinë nga vendi ku ai punonte.
Sakaq, Fatmir Ara ka qenë emër i njohur për autoritetet italiane pasi ka qenë akuzuar për krime kundër pronës dhe armëmbajtje pa leje. Katër vjet më parë, Ara kishte përfunduar në gjyq para gjykatës së Ivreas për një histori që kishte përfshirë edhe një pjesëtar të policisë.