Një ngjarje e rëndë u shënua këtë mbrëmje në qytetin e Rrëshenit. Një person i moshës 51 vjeç mësohet se ka mbetur i vrarë pas një përplasje me armë zjarri. Personi që ka humbur jetën është identifikuar si Anton Keli.

Anton Keli ishte banues në fshatin Malaj të Mirditës. Ai ka humbur jetën gjatë transportit për në spital.

Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë dhe FNSH-së po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Dyshimet e para

Mësohet se viktima punonte si taksist dhe ishte nip i familjes Gjini. Ai ndodhej në automjetin e tij kur u qëllua nga persona ende të paidentifikuar.

Kujtojmë që dy vëllezërit, Tonin dhe Preng Gjini janë emra të njohur për policinë.

Tonin Gjini është ekzekutuar përpara kishës së Rrëshenit në vitin 2019, ndërkohë që vëllait të tij Preng Gjini i është bërë atentat me tritol pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë, në shtator të vitit 2020. Ai mundi të mbijetonte.

Vëllezërit Gjini kanë një konflikt të hershëm në Mirditë me familjen Reçi. Nga kjo e fundit kane mbetur të vdekur dy vëllezer.