Vetëm 3 minuta ishte e gjithë kohëzgjatja e krimit që tronditi pak ditë më parë Ksamilin me një të ri portugez që u vra në lokalin Principotes.
Prokuroria e Tiranës është duke kryer hetime dhe në këtë fazë ka arritur të marrë dhe zbardhë pamje të disa kamera sogurie që ndodheshin në zonën e lokalit dhe përreth tij.
Nga pamjet e kamerave rezulton se përleshja u përshkallëzua me goditje me grushte dhe ndjekje mes personave të përfshirë, me një vazhdim edhe në zonën e plazhit.
Gjatë përleshjes, 20-vjeçari Mendes u godit fillimisht me grushte nga disa persona. Në vijim, Sokrat Lipan alias Sokrat Vata u afrua pranë të riut dhe e goditi disa herë me thikë në trup. Edhe David Heurtevent dyshohet se e ka goditur me grushte viktimën gjatë konfliktit.
Tre minutat zbërthyese të zbardhur nga kamerat e sigurisë
Në orën 05:14:24 të datës 18.08.2026 vërehet se nga ambientet e lokalit “Principotes” dalin disa shtetas dhe qëndrojnë tek rëra e ambienteve të jashtme të subjektit “Paradise”.
Ndër ta janë të identifikuar shtetasit Ibrahim Lemoie, Sudae Akmahmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes, i veshur me një bluzë të bardhë me një shkrim me ngjyrë të zezë nga mbrapa.
Në orën 05:15:22 të datës 18.08.2026, nga ana e parkimit në anën jugore të Principotes vërehet që afrohen dy shtetas, konkretisht Davit Heuertvent përpara dhe Sokrat Lipan (Vata), i veshur me një këmishë të bardhë, në vendin ku ndodheshin shtetasit e huaj.
Në orën 05:16:39 shtetasi Sokrat Lipan (Vata) vërehet se shtyhet me një person të veshur me bluzë me ngjyrë të bardhë dhe Sokrati vërehet se largohet prej tij dhe shkon në drejtim të shezlloneve.
Në orën 05:16:47 shtetasi Sokrat Lipan Vata ndjek një nga personat, i cili është i veshur me të bardha, dhe Sokrati e ndjek nga mbrapa në drejtim të parkimit.
Në orën 05:16:54 shtetasi Sokrat Lipan (Vata) vërehet se vjen me vrap në drejtim të shtetasit Ibrahim Lemoie, i cili përplaset në shezllone dhe bie në tokë dhe Sokrati e godet në drejtim të tij.
Në orën 05:17:14, në këto momente afrohet shtetasi Luis Mendes dhe shtyn me trup shtetasin Sokrat Lipan, i cili bie në tokë. Shtetasi Sokrat Lipan (Vata) ngrihet nga toka dhe i afrohet shtetasit Luis Mendes dhe fillon dhe godet në drejtim të tij.
Në orën 05:17:20 shtetasi Davit Heuertvent, i veshur me tuta të shkurtra dhe një si në këmishë me ngjyrë të errët, së bashku me shtetasin Sokrat Lipan (Vata), godasin shtetasin Luis Mendes dhe gjatë kësaj kohe vjen shtetasi Sudae Akhmat për të ndihmuar shokun e tij, shtetasin Luis Mendes, dhe godet shtetasin Sokrat Lipan.
Në orën 05:17:35-05:17:46 shtetasi Serxhi Selimi godet shtetasin francez Ibrahim Lemoie me grushta, gjatë kësaj kohe shtetasi Luis Mendes, për t’u larguar nga goditjet që po merrte nga Sokrat Lipan dhe David Heurtevent, largohet me nxitim duke u futur brenda në det.
Në orën 05:17:53 shtetasi Luis Mendes afrohet nga ana jugore e plazhit në vendin ku ndodhen kamarieret dhe goditet nga shtetasi Serxhi Ademi me grushta dhe e ata e shtyjnë në det. Në orën 05:18:04 shtetasi Luis Mendes del nga uji dhe ecën në drejtim të shezlloneve të plazhit Paradise, ku vërehet se bluzën e bardhë e ka të gjakosur.
Në orën 05:18:24 shtetasi Davit Heuertvent vërehet se largohet në drejtim të ambienteve të brendshme të Principotes, i cili dallohet që është i gjakosur tek pjesa e përparme e teshave dhe po fshihet.
Në orën 05:20:28 largohet shtetasi Sokrat Lipan, i cili bluzën e bardhë e ka të gjakosur dhe mbas tij është kamarieri Ildi Cekani, i cili e shoqëron nga mbrapa në drejtim të lokalit të “Principotes”.
Personat e arrestuar janë
Sokrat Lipan alias Sokrat Vata
Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, të dy me shtetasi turke
Serxhi Selimi,
Ervis Bunci,
Ildi Cekani
Murat Zhabina
Miosid Matushaj
Luciano Seferi,
Romeo Shehu
Kristi Koshi






