Vendimi i qeverisë shqiptare për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me shtetin islamik të Iranit ka marrë vëmendjen e mediave të huaja.

Nëpërmjet një artikulli të publikuar, media prestigjioze Reuters sjell deklaratën e një dëshmitari i cili pretendon se ka parë një burrë brenda ambasadës duke hedhur letra në fuçi për t’i djegur, pas vendimit të qeverisë shqiptare për largim të diplomatëve iranianë brenda 24 orëve nga vendi ynë.

Artikulli i plotë

Diplomatët iranianë dogjën dokumentet herët në mëngjes të enjten, disa orë përpara se të largoheshin nga vendi pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke akuzuar Republikën Islamike për një sulm kibernetik në korrik.

Në një fjalim me video të mërkurën, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se diplomatët dhe stafi iranian duhet të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Rama tha se sulmi kibernetik i korrikut ka “kërcënuar të paralizojë shërbimet publike, të fshijë sistemet dixhitale dhe të hakojë të dhënat shtetërore, të vjedhë komunikimin elektronik të qeverisë dhe të shkaktojë kaos dhe pasiguri në vend”.

Një dëshmitar tha për Reuters se ka parë një burrë brenda ambasadës duke hedhur letra në një fuçi të ndryshkur dhe flakët ndriçonin muret e ambasadës trekatëshe”.

Uashingtoni, aleati më i afërt i Shqipërisë, fajësoi gjithashtu Iranin për sulmin dhe premtoi “të ndërmarrë veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA”.

Teherani ka dënuar ashpër vendimin e Tiranës për të ndërprerë marrëdhëniet e saj diplomatike duke i quajtur si “pretendime të pabaza” arsyet e Shqipërisë për këtë masë.

Shqipëria dhe Irani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga viti 2014, kur Shqipëria pranoi rreth 3000 anëtarë të grupit opozitar në mërgim Organizata e Muxhahidëve Popullor të Iranit, e njohur edhe me emrin e saj farsi Mujahideen-e-Khalq, të cilët janë vendosur në një kamp pranë Durrësit.

Disa ditë pas sulmit kibernetik, mediat në Tiranë kanë raportuar se hakerët kanë publikuar të dhëna personale të anëtarëve të opozitës që ishin ruajtur në kompjuterët shtetërorë të Shqipërisë si numra personalë, emra dhe foto.

Paraditen e së enjtes është shfaqur qetësi jashtë ambasadës në Tiranë që ndodhet vetëm 200 metra larg kryeministrisë.

Një Audi e zezë me targa makine diplomatike dhe xhama të errësuar u pa duke hyrë e dalë ndërsa një oficer policie ruante hyrjen.