Afërdita Suka, zëdhënëse për politikat shëndetësore në grupin parlamentar Të Gjelbrit në parlamentin e Landit të Berlinit shpjegon në një intervistë me DW ndryshimet në ligjin e ri për personelin shëndetësor në Gjermani.
Më 1 shtator 2022 në Gjermani hyri në fuqi një ligj i ri, sipas të cilit personeli në kujdesin për të moshuarit paguhet sipas tarifave. Kjo prek mbi 5000 shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut që punojnë në këtë sektor. Në një intervistë me DW Afërdita Suka, deputete në parlamentin Landit të Berlinit shpjegon se çfarë do të thotë kjo për sektorin e kujdesit shëndetësor.
Deutsche Welle: Më 1 shtator 2022 Gjermania i ka rritur pagat në sektorin e kujdesit shëndetësor. Çfarë do të thotë kjo konkretisht për të prekurit.
Afërdita Suka: Për të punësuarit do të thotë një rritje rroge me mesatarisht 20 përqind. Kjo pasi 80 për qind e të punësuarve nëpër strehimore të moshuarish ose dhe në pikat ambulante paguhen nën tarifë. Me këtë hap tejet të nevojshëm politika synon ta bëjë më atraktiv profesionin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit.
Por kjo do të thotë edhe rritje e kostove nëpër azile. Sa pritet të rriten këto kosto dhe kush i merr përsipër?
Për kujdesin geriatrik në një qendër të moshuarish, sipas përllogaritjeve të bëra këtu në Berlin, pritet një rritje mesatare prej 300 euro/muaj. Në varësi nga kohëzgjatja e qëndrimit, një pjesë të kostove, ose të gjitha, i merr përsipër sigurimi geriatrik. Në kujdesin ambulant pritet një rritje kostosh me së paku 40 për qind, në varësi të shërbimeve. Nëse të moshuarit nuk kanë mundësi t’i paguajnë vetë, atëherë ekziston mundësia që të marrin ndihma nga shteti. Fëmijët paguajnë për prindërit që kanë nevojë për kujdes shëndetësor, vetëm nëse kanë të ardhura mbi 100 mijë euro bruto në vit.
Sipas një parashikimi të institutit të sigurimeve shëndetësore Barmer, deri në vitin 2030 Gjermanisë do t’i nevojiten 500 mijë infermierë. Sa i prekur është Landi i Berlinit nga kjo mangësi dhe çfarë po bën për ta përballuar këtë?
Berlini që tani ka mangësi të mëdha personeli në kujdesin shëndetësor dhe geriatrik. Deri në vitin 2030 Berlinit do t’i nevojiten 10 000 fuqi punëtore të specializuara në kujdesin geriatrik. Ka shumë përpjekje për ta bërë sa më tërheqës këtë profesion, për shembull, janë hequr tarifat për shkollat e infermierisë. Në dy klinikat kryesore Charitè dhe Vivantes janë bërë marrëveshje për lehtësimin kushteve të punës së infermierëve. Koha e punës dhe ngarkesa janë bërë më të parashikueshme. Këto marrëveshje janë adaptuar edhe në spitale të tjera. Landi i Berlinit po angazhohet në nivel federal që të arrihet edhe një kombinim më i mirë i profesionit me jetën familjare.
Në shumë vende të botës ka mungesa të fuqisë punëtore në kujdesin për të moshuarit. A ka ndonjë vend që e ka zgjidhur këtë problem dhe që mund të shërbejë si model për ju?
Është mirë të shihen rrethanat dhe kushtet në secilin vend. Shumë sisteme shëndetësore brenda dhe jashtë Evropës nuk mund të krahasohen me njëra tjetrën, sepse kanë tradita të ndryshme. Në shoqëritë, ku kujdesi geriatrik është i profesionalizuar dhe i shkolluar, këto profesione trajtohen në nivel të barabartë me profesione të tjera. Dhe ky së paku është një parakusht që përbën një bazë të mirë për ta bërë atraktiv këtë profesion.
Aferdita Suka, është lindur në Suharekë, Kosovë. Në vitin 2021 ajo u zgjodh me mandat të drejtpërdrejtë në lagjen Tempelhof në Berlin si deputete e partisë Të Gjelbrit në parlamentin e Landit të Berlinit.
DW