Grupi parlamentar i Partisë Demokratike mori në shqyrtim dhe miratoi draftin e punuar nga ekspertët për hartën e re territoriale. Të vetmit që nuk morën pjesë në takimin e thirrur nga Alibeaj ishin deputetët që janë në mbështetje të Sali Berishës.
Ndryshe nga harta aktuale e cila e ndan Shqipërinë në 61 njësi vendore, demokratët propozojnë një ndarje të re me 92 bashki. Bashkëkryetarja e Komisionit, Dhurata Çupi konfirmoi se demokratët kanë propozuar shtimin e 31 bashkive të reja.
Sipas propozimit të PD, Paskuqani i bashkohet Bashkisë Tiranë dhe Zallherri i bashkohet Bashkisë Kamëz.
Demokratët sugjerojnë gjithashtu që shtimin e bashkisë Maqellar, Kastriot dhe Lurë në qarkun Dibër; Bashkia Shpirag në qarkun Berat; Bashkia Dukagjin dhe Velipojë në Qarkun Shkodër; Bashkia Shpat dhe Bashkia Bardashesh në qarkun Elbasan; Bashkitë Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës në qarkun Lezhë; Bashkitë Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratër në qarkun Fier; Bashkitë Shishtavec dhe Bicaj në qarkun Kukës; Bashkitë Leskovik, Voskopoj, Drenovë, Pojani dhe Stravë në qarkun Korçë; Bashkitë Orikum, Ksamil, Novosel dhe Kote në qarkun Vlorë.
Demokratët sugjerojnë edhe ndarjen e Shqipërisë në 6 rajone duke hequr dorë nga koncepti i ndarjes në qarqe. Drafti do t’i përcillet komisionit të posaçëm të reformës territoriale ku socialistët janë kundër rritjes së numrit të bashkive.