Princi dhe Princesha e re e Uellsit, William dhe Catherine së bashku me Harry-n dhe Meghan kryen sot homazhet në nder të Mbretëreshës Elizabeth II. Ata janë fotografuar jashtë territorit të Kështjellës Windsor.

Kjo është shfaqja e parë publike që çiftet mbretërore kanë bërë së bashku që nga vdekja e Mbretëreshës. Katër anëtarët e familjes mbretërore janë pritur ngrohtësisht nga turmat e mbledhura nga jashtë Kështjellës Windsor.

Paraqitja e tyre e përbashkët erdhi si befasi dhe nuk u njoftua paraprakisht.

Çiftet mbretërorë folën me dashmirësit që ndodheshin aty, pranuan lule dhe madje dhanë disa përqafime gjatë homazheve. Uilliami falenderoi njerëzit për ngushëllimet e tyre, lexoi një letër nga një vajzë e vogël me zë të lartë, si dhe mori buqeta me lule. Meghan u fotografua duke përqafuar një vajzë adoleshente.  

Ndërkohë, një burim mbretëror ka zbuluar arsyen pse Princi i Uellsit, William, ftoi Dukën dhe Dukeshën e Sussex, Harry dhe Meghan, për homazhet në Kështjellën Windsor. Burimi tha se “William mendoi se ishte një shfaqje e rëndësishme uniteti në një kohë tepër të vështirë për familjen”.

Korrespondenti mbretëror i CNN, Max Foster tha se ribashkimi pas dy viteve të trazuara në familjen mbretërore ishte “një moment i madh”.