Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka uruar nxënësit dhe mësuesit, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.
Urimin Kushi e ka bërë përmes një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.
“Me lajmin që ky vit i ri shkollor vjen me shumë risi për të gjithë nxënësit dhe mësuesit, ju uroj një vit të mbarë e të suksesshëm!”, shkruan ministrja në statusin e publikuar së bashku me videomesazhin e saj.
Në këtë videomesazh ministrja Kushi nënvizon se ky vit shkollor vjen me shumë projekte dhe nisma për një arsim cilësor të barabartë dhe gjithpërfshirës.
Në këtë video-urimi janë përfshirë edhe disa nga risitë e këtij viti të ei shkollor siç janë rritja e numrit të punonjësve psiko-socialë, mësuesve ndihmës, oficerëve të sigurisë, zgjerimi i projektit “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”në 150 shkolla të tjera, formimi i 400 klasave sportive në 6 disiplina dhe programi i veçantë sportiv për nxënësit me aftësi ndryshe.
Ndërkohë që në videomesazh përmenden edhe përfshirja e lëndës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në klasat e para, abetarja e re, si dhe hapja e shkollës së mesme për nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë.