Emocionet më të veçanta në nisje të shkollës i përjetojnë fëmijët e klasave të para. Psikologët këshillojnë prindërit të jenë sa më pranë tyre.
“Është shumë e shpjegueshme ankthi i ndarjes që ndodh midis fëmijës dhe prindit. Prindi t’i shpjegojë që ndoshta po ashtu është ndjerë edhe vetë në ditën e parë, ka rëndësi që shkëputja të ndodhë në mënyrë graduale, duke ia shpjeguar prindi fëmijës që ndodhet aty sa të mbarojë procesi mësimor, që ti japë siguri”.
Ankthi jo gjithmonë largohet pas ditës së parë të shkollës, prandaj duhet treguar kujdes me këto shenja.
“Shikohet që fëmija mezi pret të kthehet në shtëpi, shikohet i lodhur, me pagjumësi, ka disa shenja që fëmija nuk po arrin të përshtatet dhe prindi duhet ta kuptojë dhe të kërkojnë ndihmë te mësuesja kujdestare, apo te aktorë të tjerë të shkollës.”
Në të gjithë vendin janë rreth 29 mijë fëmijë që këtë vit ulen për herë të parë në bankat e shkollës.