Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka përfshirë në dosjen e hetimit të nisur për sulmin kibernetik ndaj portalit e-Albania në korrik të këtij viti edhe sulmin e fundit kibernetik ndaj sistemit TIMS, i cili rregullon hyrje-daljet në Republikën e Shqipërisë.
Më datë 19.07.2022, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale:
“Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”;
“Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”;
“Ndërhyrja në Sistemet kompjuterike”; dhe
“Keqpërdorimi i pajisjeve”, të parashikuara nga nenet 293/a, 293/b, 293/c, 293/ç, të Kodit Penal.
Objekti i hetimit është sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.
Po kështu, më datë 09.09.2022 është kryer njëtjetër sulm kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen dhe menaxhohen nga Ministria e Brendshme në Shqipëri.
Këto dy veprime, duke qenë se janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim, po hetohen në një dosje të vetme.
Si në momentin e sulmit të parë ashtu edhe në sulmin e dytë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë,ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke operuar me vendimmarrjet urgjente që ka diktuar dinamika e veprimeve.
Në ushtrim të kompetencave të saj dhe në bashkëpunim të ngushtë me gjithëagjencitë ligjzbatuese dhe partnerët që asistojnë autoritetet shqiptare, prokuroria ka kryer një sërë veprimesh hetimore, duke përfshirë dërgimin e kërkesës për ndihmë juridike në disa shtete.
Hetimet në lidhje me këto raste janë komplekse dhe po vijojnë.