Ditën e djeshme nisja e vitit të ri shkollor në Kosovë pati protesta nga mësuesit, të cilët kërkonin rritjen e pagave, ndërsa ditën e sotme është konfirmuar që grumbullimet do të vijojnë.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Rrahman Jashari konfirmoi se greva në arsim dhe administratën publike do të vazhdojë.
Sipas tij, Kurti nuk e ka pranuar kërkesën kryesore të tyre, shtesat prej 100 eurove deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Jashari shton se kryeministri ka mbetur i palëkundur karshi kërkesës, pasi ka prezantuar pakon ku për sektorin publik ndahen 50 euro deri në fund të vitit.
Sipas kryetarit të SBASHK kjo gjë është e papranueshme për anëtarët e sindikatës.





