Teuta-Laçi u gjykua nga kryesori Ardian Beqiri dhe ndihmës të tij ishin Ilir Tartari dhe Arbër Zalla. Si ndeshje e luftuar pati edhe probleme sa i përket gjykimit, ku kemi një penallti të dhënë për Laçin dhe dy të pretenduara nga Teuta.

Minuta 41 – Deliu hyn në zonë dhe Karabeci tregohet i pakujdesshëm duke penguar lojtarin e Laçit, që u tregu i aftë që ta “vidhte” 11-metrëshin. Vendim i saktë i arbitrit, pasi kontakti ekzistonte.

Minuta 47 – Krasniqi merr një goditje në këmbë nga Shehu dhe duke qenë në hyrje të zonës, bie në fushë. Arbitri vijon lojën, duke mos e vlerësuar penallti. Duke ruajtur standardin e penalltisë së dhënë për Laçin, edhe në këtë rast arbitri Beqiri duhet ta kishte akorduar. Kështu që, gjyqtari ka gabuar dhe penallti e mohuar për Teutën.

Minuta 51 – Gjatë një dyluftimi ajror mes Lorenco Vilës dhe Ignjatoviçit, shikohet që kapiteni i Laçit nuk është shumë i interesuar për topin dhe me dorën e majtë të vendosur te Vila e tërheq. Rast i dyshimtë që fare mirë mund të ishte akorduar penallti për Teutën. Tjetër gabim i gjyqtarit.

Në minutën e 12- të Nuabueze dhe Arapi ngacmohen në fushë, ku nuk mungojnë edhe prekjet me dorë, por gjyqtari mjaftohet vetëm me këshillim, ku fare mirë mund t’i kishte ndëshkuar me karton. Gjithashtu, nuk ndëshkoi as një ndërhyrje të Hoxhës ndaj Nuabuezes në fillim të ndeshjes.