Një ngjarje e rëndë është parandaluar në qendër të Durrësit paraditen e sotme, teksa një grua ka tentuar të vetëdigjet.

Nga informacionet paraprake, mësohet se shtetasja me iniciale F. G., rreth 60 vjeçe, dyshohet se ka pasur një shishe me benzinë në dorë dhe ka nisur të kërcënojë se do t’i vinte flakën vetes.

Situata e shkaktuar ka alarmuar qytetarët e rastësishëm në vendngjarje të cilët kanë njoftuar forcat e policisë.

Uniformat blu kanë bërë të mundur parandalimin e tentativës për vetëdjegie nga ana e gruas, duke e neutralizuar dhe shoqëruar në polici.

Burime nga policia thonë për “DurrësLajm” se aktualisht ajo ndodhet në Komisariat duke u marrë në pyetje, për zbardhjen e shkaqeve që e çuan drejt këtij akti.

Informacioni paraprak i policisë

Më datë 14.12.2020, në orën 10:10, përpara Bashkisë së Durrësit, shtetasja F. G., rreth 60 vjeçe, mbante një shishe benzinë në dorë dhe dyshohet se kishte për qëllim të vetëdigjej. Shtetasja F. G. është shoqëruar nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme në ambientet e Policisë.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.