Mesditën e sotme ka nisur në gjykatën e Apelit Durrës seanca për çështjen penale ndaj shtetasve rusë Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe dhe 25-vjeçari ukrainas Fedis Alpatov të akuzuar për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Që në fillim të seancës avokati i shtetasit ukrainas deklaroi se kërkon përkthyes të gjuhës amtare për klientin e tij dhe jo përkthyes të gjuhës ruse. I arrestuari Alpatos i pyetur nga gjykata deklaroi se nuk e kupton mirë përkthyesen nga rusishtja, duke mbështetur kërkesën e avokatit të tij Saimir Vishaj.

Relatori Florian Kalaja konstatoi se pretendimi i personit nën hetim dhe mbrojtjes së tij është më shumë një pengesë proceduriale nga ana e mbrojtjes se një nevojë komunikimi dhe e rrëzoi kërkesën e avokatit.

Mbrojtja e shtetasit ukrainas ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit, datë 24 gusht, duke kërkuar detyrim paraqitjeje dhe mundësinë e lëvizjes jashtë vendit për të vijuar studimet master në Varshavë.

Vishaj deklaroi se është arbitrare t’i mohohet gjuha amtare dhe t’i flitet në rusisht kur i vëllai është gjymtuar nga sulmet ruse në Ukrainë. Sipas Vishajt, autorësia e goditjes ka një emër, atë të Mikhail Zoren, ndërsa klienti i tij pasi ka ardhur nga Durrësi ka kontaktuar në Instagram me dy shtetasit e tjerë dhe kanë vendosur të lëvizin me makinën luksoze bashkarisht.

“Sa i përket arrestit dhe regjistrimit të çështjes, klienti im është arrestuar për dy vepra, cenimi dhe sigurimi i të dhënave. Ne nuk kemi asnjë provë në dosje që është futur në repartin ushtarak dhe nuk kanë lidhje fare. Cila është prova, cili është agjenti? Një student, një bloger?

Dy ushtarakët flasin vetëm per një person, përse marrim tre veta, këtë student nga Ukraina vendi i të cilit është në luftë, të vuajë dënim me burg. Është student në Doktoraturë, vijnë nga Durrësi dhe ikën në Gramsh, për turizëm dhe papritur e gjejnë veten në burg.

Ky është viktimë, po e lini dhe pa shkollë, ne Poloni Varshavë, sa ka mbaruar masterin dhe është në doktoraturë. Familja e tij ka dalë në luftë në Ukrainë. Fakti që ka shkuar në Gramsh nuk përbën vepër penale.

Duhet të gjeni provat pastaj të shkoni te kufizimi i lirisë. Flagranca është ndryshe nga çfarë është shkruar në dokument. Ai as ka qenë në repartin ushtarak. Ai nuk është repart ushtarak i mirëfilltë pasi është i deklasifikuar.

Të paktën mos t’i ndërpresim doktoraturën online se mirë lufta që i ka zënë, por të paktën mos të humbasë këtë investim që ka bërë. Në këto kushte kërkoj ta ndryshoni vendimin”, tha avokati Saimir Vishaj.

Edhe dy shtetasit rusë kanë kërkuar të njëjtën masë sigurimi personal, atë të detyrimit për paraqitje pranë policisë gjyqësore.

Me kërkesë të prokurorit gjyqtari vendosi ta vijojë seancën ndaj shtetasve rusë dhe ukrainas me dyer të mbyllura.