Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka zhvilluar sot një takim me Sindikatën e Pedagogëve për të shqyrtuar kërkesën e pedagogëve për rritje page. Por, takimi ka rezultuar pas sukses, pasi Kushi ka propozuar se rritja e pagës do të bëhet jo për të gjithë, por vetëm për ata që kanë performancë më të mire

“Zhvilluam sot një tryezë diskutimi të gjatë me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë në lidhje me kërkesat e parashtruara prej tyre.

Pjesën më të madhe të çështjeve të parashtruara e kemi tashmë në proces draftimi edhe me Komitetin e Përbashkët të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Konferencën e Rektorëve, të tilla si:

– mbështetja e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;

– rishikimi i udhëzimit për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve;

– rishikimi i procedurave për pagesën e orëve suplementare;

– rishikimi i kritereve për marrjen e titujve akademike;

– si dhe rritja e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.

Ndërkohë, do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit. Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës”, thotë Kushi.

“Në një deklaratë për mediat pas takimit, pedagogët u shprehën se është rënë dakord vetëm në lidhje me doktoraturat dhe një rikonceptim të orëve, por ata ende u qëndrojnë kërkesave të tyre.

Më tej ata paralajmëruan se protesta do të vijojë më 5 tetor dhe do të jetë në formën e tubimeve.

Në lidhje me transparencën e shpenzimeve të universiteteve, Ministria premtoi se do i kërkonte transparencë universiteteve, si shpenzohen paratë publike. Ramë dakord për pikën me doktoraturat, lidhur me kushtet dhe numrin e doktoraturave që duhet të udhëheq një pedagog. Kjo besoj do rregullohet.

Ramë dakord për një rikonceptim të orëve. U ra dakord që do të analizohet në tërësi për të vendosur një koeficient. Ramë dakord parimisht që leksionet të kenë një koeficient më të madh se seminarët, si për bachelorin ashtu edhe për masterin.

Ne jemi të vendosur për kërkesat kryesore. Kërkesat tona janë të paekzagjeruara. Ekzagjerimi vjen nga perceptimi i gabuar i vlerës së parasë. Çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë në kohë inflacioni, rimbursimet. Çdo qytetar është i mbështetur nga çdo qytetar. Qeveria ka mundësi që të rimbursojë diçka për studentët. Më datën 5 tetor, protesta vazhdon. Do jetë në formë tubimi. Do jetë forum me akademik dhe profesorë”, tha profesori.