Mbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, bëri një ndeshje të shkëlqyer kundër Partizanit, ku së bashku me kapitenin Arapi, neutralizuan çdo tentativë të “demave” për të shënuar.
Hoxha foli për takimin, penalltinë e akorduar dhe mungesën e shënimit të golave, që po shndërrohet në një problem te Teuta.
Një barazim 0-0 kundër një Partizani në formë të mirë. Mendoni se ishte rezultat i drejtë?
Mendoj se ishte një ndeshje e barabartë deri në minutën e 75- të, ku ne patëm raste për ta fituar. Më vjen keq që nuk i shfrytëzuam rastet për të dalë me tri pikë nga ndeshja.
Shtatë ndeshje, vetëm tre gola të shënuar. Ku mendoni se është problemi i Teutës në sulm?
Është e vërtetë që po hasim probleme te goli. Rastet po i krijojmë, luajmë mirë, shkojmë mirë deri te porta, por mendoj se është një ngërç psikologjik. Plus fatin nuk e kemi pasur me vete, shpresoj ta kalojmë sa më shpejt këtë ngërç dhe të shkojmë te fitorja.
Vetëm dy gola të pësuar, keni treguar një mbrojtje solide. Ishte e vështirë të markonit sulmuesit e Partizanit?
Siç e thashë, ne si ekip kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira në fazën e mbrojtjes. Por dhe në sulm, kemi shkuar mirë deri te zona e rreptësisë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu, duke pësuar sa më pak gola. Sulmuesit e Partizanit kanë cilësi, por mendoj se i izoluam mirë dhe nuk na hapën probleme.
Penalltia e akorduar në favorin tuaj ishte e diskutueshme. Mendoni se Bregu e “vodhi” apo gjyqtari vendosi drejt?
Mendoj se ishte penallti, ka pasur kontakt. Idrizaj ka shkuar nga mbrapa, e ka shtyrë dhe i ka prishur ekuilibrin Bregut. Mendoj se ishte një vendim i drejtë i gjyqtarit.
Sfida e radhës, kundër Laçit. E shihni si pikën e kthesës për të arritur te fitorja?
Është një ndeshje shumë e vështirë me Laçin, për mendimin tim ata kanë bërë një ekip të fortë. Kanë bërë ndeshje të mira, por nuk kanë arritur te fitorja. Do jetë një ndeshje shumë e luftuar, por shpresoj të fitojmë ne dhe ta kemi si një pikë kthese për të marrë më pas rezultate pozitive.





