Një ngjarje e rëndë është zbuluar nga policia në Maliq. Trupat e pajetë të dy vëllezërve të moshës 33 dhe 31 vjeç janë zbuluar në fshatin Zvirinë.
Andrea dhe Martin Olldashi dyshohet se janë vrarë me armë zjarri. Dy vëllezërit ishin larguar nga shtëpia e tyre në Pogradec që prej datës 7 dhjetor.
Informacioni paraprak i policisë Maliq
Më datë 10.12.2020, rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”, janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Këta shtetas, ishin larguar nga banesa e tyre që prej mbrëmjes së datës 07.12.2020.
Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje.
Po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.





