Takim i rëndësishëm i nivelit të lartë, i grupit “Skënderbeu”, mes drejtorive përkatëse anti-terrorizëm të Shqipërisë, Italisë dhe Kosovës. Delegacionet e policisë italiane dhe kosovare u pritën nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj.
Bashkëpunimi mes tri vendeve i shërben rritjes së sigurisë së qytetarëve dhe sigurisë kombëtare. Eksplorimi i fushave të reja të bashkëpunimit dhe vazhdimi i takimeve në nivele teknike ishin qëllimet e takimit të bashkëndarë nga të tre forcat policore mike.
Gjatë takimit, Vocaj evidentoi marrëdhëniet e mira të vendosura mes palëve në këtë kuadër dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet strukturave kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, të të tre vendeve.
Ky është takimi i 6-të i këtij grupi pune, i cili ka mundësuar një bashkëpunim mjaft frytdhënës mes palëve.
Realizimi i takimit u mbështet nga Projekti IPA 2019 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”.