Fatjon Murati është 32-vjeçari që autoritetet i sekuestruan 5 milionë euro pasuri të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Murati aktualisht ndodhet në burg pasi ra në pranga për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Në momentin e arrestimit ishte në shoqërinë e Endrit Dokles.
32-vjeçarit i janë sekuestruar një ndërtesë në rrugën “Lord Bajron”; një dyqan në rrugën “Shaban Matraku”; një apartament, një objekt 8-katësh me sipëfaqe 800 metër katrorë, dy subjekte tregtare lokale, një subjekt tregtar lavazh makinash, një subjekt tregtar dyqan, në Tiranë.
Procedimi penal për sekuestrimin e këtyre pasurive u referua nga policia që në 7 shkurt të vitit 2018 për veprën penale “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”. Një muaj e gjysmë më vonë, u referuan në prokurori edhe materiale të tjera, edhe për personat e tjerë pjesë e organizatës kriminale të Fatjon Muratit, ku një pjesë e anëtarëve të saj janë arrestuar nga policia italiane, ndërsa të tjerë janë në kërkim. Kjo organizatë është marrë fillimisht me vjedhje dhe më pas e ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe në trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas prokurorisë, Fatjon Murati rezultoi të ishte në kërkim kombëtar në 31 tetor 2015 për evazion nga masa alternative në burg, nëpërmjet masës së vendosur nga Gjykata e Trevizos. Kjo e fundit, në 7 nëntor 2015 urdhëroi arrestimin e tij për veprën penale të “Pranimit të mallrave të vjedhura”, “Posedim abuziv të armëve”, “Trafikim të lëndëve narkotike”. Në prill 2016 Gjykata e Venecias urdhëroi arrestimin e tij për “Pjesëmarrjes në krime” dhe në korrik 2017, autoritetet gjyqësore të Padovas e raportuan për veprën penale të “Trafikimit të kokainës”.