Vjen fitorja e parë në mënyrën me të bukur dhe të vuajtur të mundshme. Teuta e Bledi Shkëmbit triumfon pak km. më në jug të qytetit të Durrësit, saktësisht në “Egnatia Arena” dhe këtë e bën pasi u gjend në disavantazh e për më tepër në sekondat e fundit me një mbrojtës.

Tre pikë që nuk mund të vinin në një mënyrë tjetër për skuadrën durrsake që shtang Egnatian 2-1 në shtëpi dhe këtë e bën në një ndeshje ku rrezikoi por edhe krijoi shumë. Delarge, njeriu që di vetëm të shënojë, arriti të zhbllokonte rezultatin në pjesën e dytë por ky nuk ishte një gol që mund të rrëzonte psikologjikisht “Djemtë e detit” pasi Blerim Kotobelli nxorri nga “sirtari” një supergol, ndoshta më të bukurin e karrierës së tij, duke rikthyer qetësinë në kampin durrsak.

Minutat deri në fund rrodhën me vonesa që mund ta kishin vrarë ndeshjen por në frymën e fundit, pas një harkimi nga këndi, Jazxhi kërceu më shumë se të gjithë për golin që shpalli festën e durrsakëve të cilët i largohen fundit dhe ngjiten në kuotën 7 duke evituar turpin e fazës së parë pa asnjë fitore edhe pse do të luajnë ende edhe një ndeshje deri në fund të kësaj xhiroje.