Trofeu i “Topit të Artë” për vitin 2022 u fitua nga sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema, por duket se kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak shokut të tij të skuadrës, Tibu Kurtua, i cili shprehet se portierët nuk marrin vlerësimin e duhur në këtë çmim.

Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, portieri belg nuk u fsheh aspak, duke hedhur kritika të forta, edhe pse fitoi trofeun “Yashin”, për portierin më të mirë të sezonit. “Jam i lumtur për Benzemanë. Nuk po them që unë duhet ta fitoja, por unë nuk jam as në podium duke qenë portieri që fitoi La Ligën dhe Chamopions-in.

Duket se të bësh gola është më e rëndësishme se t’i ndalosh ato. Është një luftë që duhet fituar. Duke parë logjikën dhe si ata do të votonin, unë e dija që nuk kisha asnjë shans”, u shpreh si fillim gardiani belg. Më pas ai u pyet dhe nëse një portier do ta fitonte ndonjë ditë në të ardhmen, duke u shprehur: “E shikoj të pamundur për një portier që ta arrijë. Si një portier, unë nuk e di nëse mund të bësh më shumë se sa bëra unë në vitin e kaluar”.