Gjatë vizitës zyrtare në Izrael, kryeministri Edi Rama është takuar me presidentin e Izraelit Isaac Herzog.
Rama u prit nga stafi i Herzog në pallatin presidencial ndërsa gjatë fjalës së tij tha se vendi ynë është një shtëpi e dytë për popullin hebre.
“Shpresoj që një President izraelit të vizitojë Shqipërinë, nuk e ka vizituar asnjëherë më parë. Vlerësojmë mikpritjen e ngrohtë këtu dhe kujdesin tuaj ndaj delegacionit shqiptar. Shpresojmë që të shikojmë më shumë turistë izraelitë. Jam i sigurtë se kanë shumë për të parë dhe për të përjetuar në Shqipëri dhe do të ndihen si në shtëpi, sepse Shqipëria ka qenë një shtëpi e dytë për popullin hebre”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.
Një ditë më parë Rama u takua me kryeministrin e Izraelit Yar Lapid. Liderët diskutuan për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve në një sërë fushash, si dhe për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta me të cilat përballen të dy vendet, me theks në kërcënimin iranian.