Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, është shprehur se qeveria shqiptare ka nisur një program për mbrojtjen sociale të qytetarëve.
Ajo shtoi se pavarësisht se çfarë flitet, Shqipëria nuk arrin të prodhojë energjinë e nevojshme për konsum, ç’ka bën që vendi të dalë në treg për të blerë energji.
Sipas Ballukut, qytetarët duhet të nisin kursimin e energjisë dhe sipas saj, institucionet shtetërore duhet të japin shembullin e parë.
Balluku tha se për institucionet që nuk reagojnë në këtë kohë krize do të ketë edhe penalizime e gjoba.
“Qeveria shqiptare ka nisur prej kohësh një program i cili ka të bëjë me mburojën sociale për abonentët familjarë, bizneset e vogla dhe të mesme. Në vitet e mira hidrike ne prodhojmë 70% të energjisë të nevojshme që kërkohet nga tregu shqiptar, pjesën tjetër i drejtohemi importeve. Kjo ka qenë një problematikë e mbartur ndër vite. Ne duhet të jemi të parët që duhet të japim shembullin. Nëse ulim këtë konsum me 15%, do të ulim 1% të konsumit të vendit, që janë 30-34 milionë euro. Si çdo masë do ketë edhe penalitete administrative. Ne nuk kemi synim që të pengohen proceset e punës, por flasim për procese të panevojshme. Flasim për drita që ndriçojnë fasada, mirë e kemi bërë se qytetet duhet të dalin në pah, por jo në kohë krize. Do donim që të gjitha fasadat e rikonstruikutara dhe ato me vlerë historike të ishin gjithmonë të dukshme, por sot na duhet të kursejmë. Në rast se në dy muaj nuk do të ketë reagim nga institucioni, nuk ka ulje të konsumit do jemi të detyruar të vendosim gjobën. Gjoba i vendoset institucionit, por shkon në llogari të titullarit”, tha Balluku.