Partia Demokratike deklaroi sot se kryeministri Edi Rama ka udhëtuar dy herë më shumë se ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush që, në dy mandate, ka kryer 74 fluturime me Air Force One.
Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi tha se kryeministri ynë është në hava-limanin e tij, ku e ka shpënë shkëputja nga realiteti dhe hallet e popullit të vet.
“Ndërkohë që ai merr sa herë i teket, avionin-taksi, populli i tij rrëmben taksitë e vdekjes për të kaluar La Manshin dhe shpëtuar kokën nga qeverisja e tij”, tha Boçi.
DEKLARATA E PLOTË
Sheiku Ahm- Ed Bin Rama Al Surrel, me çarter pas fundshpine, ka reaguar me breshëri pasi hakerat i zbuluan numrin e fluturimeve me avion-taksi.
Siç e ka zakon kur kapet ngushtë, ai fut në përdorim gjuhën e ashpër dhe sharjet, a thua se gjuha do ta shpëtojë nga ajo që i bën mendja, për hir të tekave kryeministrore.
137 fluturime ka kryer zotëria e tij me avionin kryeministror, dhuratë e Erdoganit, pajë për zhbërjen e shkollave dhe llahtarisjen e fëmijëve shqiptarë.
Dy herë më shumë se ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush që, në dy mandate, ka kryer 74 fluturime me Air Force One.
Njeriu më i fuqishëm i botës ka kryer dy herë më pak fluturime në dy mandate se lideri më i pafuqishëm i Europës. Këtë të fundit nuk e thotë PD, ndaj i kërkojmë të mos zemërohet, por e thotë media e njohur Politiko.eu.
Pse ndodh kjo?
Sepse kryeministri ynë është në hava-limanin e tij, ku e ka shpënë shkëputja nga realiteti dhe hallet e popullit të vet.
Ndërkohë që ai merr sa herë i teket, avionin-taksi, populli i tij rrëmben taksitë e vdekjes për të kaluar La Manshin dhe shpëtuar kokën nga qeverisja e tij.
Ndërkohë që udhëheqësi ngrihet, vendi që ai udhëheq bie poshtë e më poshtë në renditjen e raporteve europiane dhe amerikane. Poshtë në cilësinë e jetës e lart në pasiguri, krim, shpopullim, e me radhë.
E vetmja arritje e zotërisë që i do çarterat si fëmija lodrat, është refuzimi i darkës nga krerët e Parlamentit europian, kilotat dhe atletet e tij që bëjnë me siklet liderët botërorë, dhe loja e zënies së syve që i bëri kryeministrit kosovar Albin Kurti.
Kot e ka që na tregon atë shumën e harxhuar për fluturimet me çarter. Nuk e ha njeri. Edhe furgoni i linjës Kafe Europa-Surrel të kishte qenë, do të kishte kushtuar më shumë.
Por jemi mësuar me shuma të tilla, si në rastin e vilës në Surrel, pallatit në Tiranë dhe të ardhurave nga pikturat dhe Kurbani.
Shifra që herë bien e herë ngrihen sipas nevojës.
Siç e thotë Lutfi Dervishi “thonë kot që na qeveris prej 9 vjetësh. 2-3 vite paska qenë në udhëtim”.