Një lajm i bujshëm vjen nga SHBA, ku gazetari i njohur Bill Simons, ka raportuar se Barak Obama është gati të hyjë në botën e NBA si pronar. Gazetari ka bërë të ditur se Obama është në kreun e një grupi investitorësh të rëndësishëm që janë gati të shpenzojnë miliarda dollarë për të blerë Feniks Sans.

Simons nuk tregoi se kush ishin personat që po mbështetnin financiarisht Obamën për të realizuar këtë blerje të bujshme, por pritet që ajo të jetë më e rëndësishmja ekonomikisht në historinë e sportit në SHBA. Mendohet se paketa financiare e blerjes së aksioneve nga grupi që ka si figurë përfaqësuese ish-presidentin e SHBA të arrijë në 4 miliardë dollarë.

Klubi nga shteti i Arizonës është vënë në epiqendër të kritikave kohët e fundi për shkak të pronarit aktual, Robert Sarver, i cili është akuzuar dhe dënuar për histori racizmi, seksizmi e ngacmimesh seksuale. Ai është dënuar me një gjobë prej 10 milionë dollarësh për ngjarje të tilla si dhe u pezullua një vit në ushtrimin e funksioneve të tij në krye të klubit, duke çuar në vendimin për shitjen e klubit.

Obama do të ndeshet me një konkurrencë të ashpër për blerjen e klubit të NBA, pasi edhe pronari i Amazon, miliarderi Xhef Bezos, është gjithashtu i interesuar. Në fakt, Obama është një tifoz i zjarrtë i Çikago Bulls, ndaj zgjedhja e presidentit të 44-t të SHBA për të investuar te Feniks Sans duket pak e çuditshme.