Një masakër! Kështu i referohen mediat italiane aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në Reggio Emilia. 4 shqiptarë, mes të cilëve 3 fëmijë, ndërruan jetë pasi makina ku udhëtonin u përplas me një shtëpi.
Mediat italiane kanë publikuar emrat e 4 viktimave, të cilët janë Shane Hyseni, 22 vjeçe, djali i saj, Mattias Lame, 2 vjeç si dhe motra e vëllai i 22-vjeçares, Rejana Hyseni, 8 vjeçe dhe Resat Hyseni, 11 vjeç.
Nga kjo ngjarje e rëndë ka mbetur i plagosur partneri i 22-vjeçares, një 30-vjeçar, i cili drejtonte makinën tip “Fiat”. Ai është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Deri më tani është mësuar se shoferi ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me murin e një shtëpie të pabanuar.
Siç duket edhe nga pamjet, përplasja ka qenë fatale. Mediat shkruajnë se situata në vendin e ngjarjes ka qenë shumë e trishtë. Disa prej zjarrfikësve që u është dashur të nxjerrin nga mjeti trupat e pajetë nuk kanë mbajtur dot lotët përballë asaj që kanë parë. Ka qenë shumë e vështirë për ta, pasi makina tip “Fiat” kishte pësuar dëme të mëdha.





