Ndonëse në bursa, nafta është në tendencë rënieje prej disa javësh, duke zbritur në nivelet e para sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës  Bordi i Transparencës vendos të mblidhet pas gati 20 ditësh për të vendosur një ulje të lehtë të çmimeve të karburantit.

Pasi e kishte gozhduar çmimin me 240 lekë/litri, sot vendosi  ta ulë çmimin me 4 lekë për litër. Nga sot nafta do të shitet me 236 lekë për litër.

Një ulje e papërfillshme për shqiptarët ndërkohë që Maqedonia uli dy herë çmimin brenda vetëm pesë ditëve dhe aktualisht është 189 lekë/ litri.

Ndërsa në Kosovë çmimi i naftës është 202 lekë/litri.

“Bordi i naftës lëshon pa duar vjedhjen e shqiptarëve” denoncon Partia e Lirisë e cila kërkon shkrirjen e menjëhershme të këtij bordi.

“Të shkrihet menjëherë bordi i hajdutërisë” shkruan Vasili në Facebook duke kërkuar të miratohet projektligji i Partisë së Lirisë për heqjen e taksës së qarkullimit dhe të karbonit.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 74 lekë/litri me pakicë.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 1 Nëntor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.