Fatmir Manellari, i cili rreth dy muaj më parë vrau fqinjin e tij Safet Hyskollari, doli këtë të martë para gjykatës së Pogradecit për t’u njohur me masën e sigurisë. Me kokën e ulur brenda kafazit të të pandehurve, 63-vjeçari u shfaq i prekur gjatë seancës.
“Nuk e kam bërë vrasjen me dashje. Ai më goditi me gur i pari në kurriz. Pasi më goditi me gur ka shkuar të marrë letra në banesë ndërkohë e shoqja ka thirrur duke i thënë ‘vrite atë’. Unë jam vetëmbrojtur. Ai më ka goditur i pari. Kjo vërtetohet nga kamerat. Nuk kam pasur thikë, por aty kam gjetur një drapër të vjetër. Ai në këtë kohë më ka kapur në njërën dorë dhe në këtë moment më janë errur sytë”.
“Ky debat ka 20 vjet. Kur u prish kooperativa unë mbajta kovaçanën pasi xhaxhi më kishte thënë se ishte jona me tapi të vjetër. Ndërsa këta u futën tek godinat e kooperativës. Kur ata kanë bërë ndërhyrje ndër vite më kanë ofenduar vazhdimisht duke më thënë ‘ik ore fshatar’.
“Ditën e ngjarjes isha në punë, në fabrikën e karrigeve. Shkova tek shtëpia i thirra, nuk doli njeri. Më pas e kam parë nga pas shtëpisë, folëm dhe i thashë pse më shkatërron pronën. Më ke bërë punë mbi pronën time. Më tha që kam dokumente, por largohu”, mësohet të jetë shprehur mes të tjerash në gjykatë 63-vjeçari.

Fatmir Manellari u vu në pranga javën e shkuar kur u kthye në shtëpinë e tij, teksa më parë kishte qëndruar i fshehur në pyll. Vrasja e fqinjit u krye pas një konflikti për një pronë që pretendohej nga dy palët. Për dy muaj ai ka qëndruar i fshehur në pyll mes Lozhanit të Maliqit dhe Pogradecit.
Për të blerë ushqime ai zbriste në fshatrat e afërt, ndërsa dy ditët e fundit ai ishte kthyer në banesë ku është pikasur nga efektivët dhe është arrestuar. Viktima kishte pak muaj që ishte rikthyer nga Amerika në Shqipëri.
Në përfundim të seancës, gjykata e la Manellarin në arrest me burg./tvklan.al





