Sali Berisha ka reaguar  pas deklaratës së Grupit që mbështet Enkelejd Alibeajn, të cilët kërkuan të dalin me kandidatët e vet në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Berisha tha se grupi i Alibeajt nuk do as statutin, as primaret e as fraksionin. I pyetur nëse opozita dëmtohet nga dalja në zgjedhje me dy kandidatë, ai tha se opozita nuk mund të pengohet nga asgjë për të firmosur fitoren në zgjedhjet e 14 majit.

Ndërsa thekson se PD ishte e hapur që grupi mbështetës i Alibeajt të sugjeronte emra dhe propozime për kandidatë. Ai tha se kush do që prek flamurin e PD-së, i ka bërë hesapet shumë, shumë keq.

“Sot unë kam një takim me kryetarët e degëve të PD-së së Tiranës, për të dhënë udhëzimet dhe për të bërë diskutimet për përgatitjet për protestën e jashtëzakonshme.
Ju nuk mund ta imagjinoni se sa zien sot në të 4-anët e vendit urrejtja ndaj Edi Ramës dhe bandës së tij. Opozita nuk mund të pengohet nga asgjë për të firmosur fitoren në këto zgjedhje. Zotërinjtë, një grup deputetësh, u ftuan, ose erdhën, pa asnjë lloj paragjykimi dhe prapamendimi që të bashkohen nëse donin, të garonin për çdo post në këto bashki, të paraqisnin kandidatura, ose në përputhje me statutin të krijonin, po të duan fraksionin. Por ata, sa janë nuk e di, por ata nuk duan as statutin as primaret dhe as fraksionin. Të sigurtë të jeni se ai që prek flamurin e PD-së, i ka bërë hesapet shumë, shumë keq. Kjo do të thotë që do e shikoni në ditët e ardhshme. Nuk i preket flamuri Partisë Demokratike”, tha Berisha.

Me  anë të një deklarate të bërë pasditen e kësaj të marte, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka theksuar se nuk është arritur në asnjë marrëveshje me grupin e Sali Berishës, pavarësisht se prej disa ditësh janë në negociata intensive.

Nisur nga kjo situatë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar të informohet Kryesia e Partisë Demokratike, për t’i hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore.