Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen Bashkimit Evropian duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të mos cenojnë përparimin e arritur në dialog. Duke i kërkuar serbëve që të rikthehen nëpër institucione, SHBA i kërkon Kosovës që të nisë punën për themelimin e asociacionit të komunave serbe.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar edhe njëherë qeverisë Kurti që të shtyjë vendimin për riregjistrimin e targave të automjeteve për serbët e veriut të Kosovës.

Vendimi për targat çoi në largimin në mënyrë demonstrative të punonjësve publikë serbë nga komunat, organet e gjyqësorit dhe në polici.

SHBA thotë se as kjo nuk është një zgjidhje duke ngritur alarmin se me tensionet e fundit vihet në rrezik progresi i arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian prej më shumë se 10 vitesh.

AmbasadaNe bashkohemi me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe kërcënojnë progresin e dukshëm të arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës, nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Përfaqësuesit serbë të kthehen në institucionet e Kosovës.

Në reagimin e saj, Ambasada amerikane vlerësoi rrezikun për përplasje fizike që mund të çojnë deri në humbje jete.

AmbasadaVeprimet dhe retorika që rrit mundësinë e vënies në rrezik të jetëve të pafajshme dhe të trupave paqeruajtëse është e papranueshme.

Uashingtoni thotë se Kosova duhet të nisë me themelimin e bashkimit të komunave serbe dhe të shtyjë afatin për riregjistrimin e targave me qëllim çtensionimin e situatës.

Ambasada: Ne i kërkojmë Kosovës që të zgjasë riregjistrimit të automjeteve dhe të pezullojë gjobat ndaj mbajtësve të targave KM. Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës.

Asociacioni, përmes së cilit parashikohet bashkimi i komunave me shumicë serbe në veri të vendit është shpallur si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.